Pacientët s’kanë nevojë për referim jashtë vendit – Gastroenterologjia ofron shërbime të reja
Me ofrimin e shërbimeve të reja si video kapsula endoskopia dhe ultrasonografia endoskopike (EUS) në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji, pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pacientët mund të diagnostikohen dhe trajtohen për sëmundjet e zorrëve të holla dhe pankreasit, pa pasur nevojë t’i drejtohen spitaleve në vendet fqinje.
Drejtoresha e Klinikës së Gastroenterologjisë me Hepatologji në QKUK, Fitore Komoni,thotë se në mungesë të aparaturave për kryerjen e këtyre dy shërbimeve, deri në vitin e kaluar, pacientët referoheshin për në institucionet shëndetësore të shteteve të tjera.
“Kemi arritur që të aktivizojmë dy shërbime të reja siç është video kapsula endoskopia dhe ultrasonografia endoskopike EUS-i. Video kapsula është një metodë e ekzaminimit kryesisht që përdoret për zorrët e holla, e cila diagnostikon dhe mundëson trajtimin e pacientëve me indikacione të tilla. Ndërsa, ultrasonografia endoskopike EUS-i është një metodë e cila e mundëson diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të pankreasit, metodë kjo e cila deri më tani nuk është realizuar në Kosovë, ashtu që kemi filluar që në vitin 2024. Kjo nuk bëhet në spitale private, meqenëse është një metodë shumë më specifike nuk është realizuar, është për herë të parë tek ne. Në të kaluarën, për shkak të mungesës së aparaturës për ekzaminim të zorrëve të holla, ka qenë e nevojshme që pacientët të referohen në vendet e tjera”, thotë Komoni.
Komoni potencon se ndër vite është rritur numri i kryerjes së endoskopive. Sipas saj, gjatë vitit 2024 janë kryer rreth 2 mijë gastroskopi dhe mbi 1 mijë e 300 kolonoskopi.
Pavarësisht kësaj, Komoni thotë se kjo klinikë ka synim që në vitin 2025 të furnizohet me aparatura të tjera.
“Gastroskopi janë bërë gjithsej diku rreth 2.100, ndërsa kolonoskopi 1.300, gjë që krahasuar me vitet e më hershme kemi një rritje të dukshme. Prej vitit 2023 në vitin 2024 kemi diku rreth 10 për qind rritje. Gjatë vitit 2025 varësisht sipas planit të veprimit do të arrijmë që së pari ta bëjmë zgjerimin e infrastrukturës, e po ashtu edhe renovimet si dhe furnizmin me aparatura të tjera të nevojshme për klinikën. Në Klinikën e Gastroenterologjisë, për shkak të numrit të madh të shërbimeve të cilat ofrohen dhe po ashtu edhe hospitalizimit të pacientëve, numri i mjekëve specialist është i mjaftueshëm. E po ashtu edhe numri i stafit infermieror është adekuat, i përgjigjet shërbimeve të cilat i ofrojmë”, potencon Komoni.
Komoni, thotë se në Klinikën e Gastroenterologjisë jepet terapia biologjike, e cila sipas saj ka një kosto të lartë.
“Sa i përket barnave esenciale dhe materialit shpenzues, mund të themi që gjatë tërë vitit 2024 tek ne jepet një terapi biologjike shumë e shtrenjtë, e cila po ashtu edhe në vendet jashtë Kosovës ka një kosto të lartë. Gjatë tërë vitit kemi qenë të furnizuar me ampula të infliximabit, po ashtu adalimumab dhe vedolizumab të cilat kanë hyrë në listë esenciale”, tregon Komoni.
Ndër të tjera, Komoni tregon se është reduktuar lista e pritjes për kryerjen e endoskopive.
Ultrasonografi abdominale, gastroskopi me biopsi, gastroskopia urgjente, intervenimet endoskopike duke filluar nga polipektomia dhe insertimi i balonit gastrik janë disa nga shërbimet që kryhen në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji.