“Pa t’i q* robtë me t’vra”: Arrest shtëpiak për ‘Canin’ që e kërcënoi policin në Prizren, refuzohet paraburgimi

Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Hasan Paçarizit, i ndaluar nën dyshimin për kanosjen e një zyrtari policor në Prizren.

Sinjali raportoi ekskluzivisht se i dyshuari që njihet si ‘Cani’ e ka kërcënuar me vrasje policin në Njësinë Reaguese në Stacionin Policor në Prizren, Shaban Hajdari.

Ndaj tij, është caktuar masa e arrestit shtëpiak për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosja”.

Kështu ka bërë të ditur për Sinjalin zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj, i cili njoftoi se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorit të Shtetit është e pabazuar.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, shkresave të lëndës dhe provave materiale të grumbulluara deri në këtë fazë, ka gjetur se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e pa bazuar.

Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Me datën 11 maj 2024, në orët e mesnatës, i pandehuri H.P.,  derisa po e drejtonte automjetin për shkak se i njëjti pengonte trafikun duke përdorur telefonin, është ndalur nga patrulla e policisë dhe i është shqiptuar gjoba, i dyshuari i acaruar, pasi që i drejtohet policit me fjalët “boni të fala SH.”, më pas i njëjti e ka telefonuar disa herë të dëmtuarin, zyrtarin policor, Sh.H., dhe i njëjti pasi ka hapur telefonin, i dyshuari i drejtohet me fjalët kanosëse serioze “o Sh., o a të kam borxh najsen, ta dinë që prej sodit ku kam me të zanë pa ti qi robt me të vra s’kam me lanë, bre lahperin e nanës ta qifsha”, ndërsa kur i dëmtuari i drejtohet me fjalët “a je i sigurtë për këto fjalë që i thua?”, i dyshuari ka vazhduar me fjalët “o qeshtu po të them unë” dhe e ka ndërprerë telefonin, me çka me forcë apo kanosje serioze, seriozisht e kanos të dëmtuarin, zyrtarin policor, në lidhje me punën apo pozitën se do ta privoj nga jeta, me çka te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth për jetën e tij.” – thuhet në përgjigjen e Lekajt për Sinjalin.

Lexo edhe:  Zyrtarizohet divorci: Çka çoi në ndarjen e Princ Lekës me Elia Zaharian

Pa lejen e Gjykatës, i dyshuari nuk guxon të largohet nga shtëpia e tij, dhe në rast të shkeljes së masës së arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtit do të caktohet paraburgimi.

“Këtë masë do ta mbikëqyrë Stacioni Policor, që edhe pa kërkesën e Gjykatës ne çdo kohë mund ta verifikojë zbatimin e masës dhe njofton Gjykatën për çdo cenim të mundshëm të masës së arrestit shtëpiak.”

Shaban Hajdari dhe Hasan Paçarizi, i dyshuari i rastit për të cilin raportoi sot ekskluzivisht Sinjali njihen edhe më parë mes vete dhe siç duket raporti i mëhershëm u bë sebep që i dyshuari të kapej me policin.