Osmani: Kur s‘koordinohesh me aleatë mund të kesh sukses momental që duket bukur, por që mund të rezultojë në hapa mbrapa

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përgjatë Forumit Globsec në Pragë ka folur edhe për raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Osmanit, dallimi në mes të Kosovës dhe SHBA-së është për shpejtësinë e veprimit dhe jo për rrugën që po ndiqet.

“S’ka ndonjë lloj mospajtimi që SHBA dhe Kosova duan një Kosovë sovrane, në kufijtë aktual. Por ndonjëherë qasja drejt mbajtjes së një Kosovë demokratike të fortë, mund të dallojmë. Janë taktikat nuancat. Mund të ketë diferenca në këtë drejtim. Por asnjëherë dhe s’ka pasur edhe as sot s’ka ndonjë lloj mospajtim se çfarë Kosovë duam. Kur ky themel është i shëndosh të gjitha sfidat mund të tejkalohen”, ka thënë Osmani.

Osmani tutje ka thënë se koordinimi me aleatët është kyç për suksesin e Kosovës, dhe sipas saj, në momentin që koordinohesh, suksesi është më i qëndrueshëm dhe më afatgjatë, derisa ka shtuar kur e bën të kundërtën, mund të kesh një sukses momental që mund të duket bukur, por që më pas mund të rezultojë në hapa mbrapa.

“Mospajtimi nuk është ndoshta sa i përket rrugës, por ndoshta vetëm shpejtësia me të cilën ecet në atë rrugë. Nuk po dua të them që e gjithë situata është krejt e qartë. Kam pasur 20 vjet përvojë në politikë dhe koordinimi me aleatët është kyç është një prej aspekteve kyça të suksesit tonë. Kur koordinohemi me aleatët në terren suksesi është më i qëndrueshëm më afatgjatë, por kur nuk e bëjmë këtë është një sukses vetëm momental, mund të duket mirë, mund të tingëllojë mirë, por që pastaj është më i brishtë si sukses dhe mund të bëjmë hapa mbrapa”, ka thënë presidentja e Kosovës.

Lexo edhe:  Gruaja ngjitet në shtyllën elektrike 20m pas debatit me bashkëshortin për tradhtinë