Osmani i shpejton gjërat, Basha fton partitë në ora 17:00 për rendin e ditës së nesërme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të pranuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor certifikimin e rezultateve zgjedhore, menjëherë thirri seancën konstitutive.

Në njoftimin për publik Presidenca shkroi se është konsultuar “me shumicën e partive parlamentare” por s’tregoi se me kënd jo.

Mbrëmë ajo priti në takim kreun e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, por jo edhe Albin Kurtin e Vetëvnedosjes.

Në ato takime u tha se biseda ka qenë thjesht për Bordin e Paqes të Donald Trump, por jo edhe çështja e kuvendit.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, u tha në komunikatë.

 

Në shkresën dërguar bartësit për herë të fundit të funksionit të Kryetarit të Kuvendit të legjislaturës së kaluar, Dimal Bashës, Osmani e urdhëron të ftojë përfaqësues të partive politike që të caktojë rendin e ditës për seancën konstitutive.

Dhe, me të marrë këtë, Basha u kërkoi “kryetarëve të partive politike” të shkojnë në takim paracaktues të seancës konstitutive të nesërme, për mbrëmjen e sontme në ora 17:00.

“Mbledhja e Kryetarit të Kuvendit, me kryetarët e subjekteve politike, do të mbahet të martën. Më 10.02.2026 në orën 17:00, në sallën C-301”, thuhte në thirrje.

Sipas dispozitave të nenit 8 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, përgjegjësia për përgatitjet e seancës konstituive të legjislaturës së re bie mbi kryetarin e legjislaturës së mëparshme, në këtë rast Dimal Basha, për çka ky i fundit duhet të hartojë propozimet për rendin e ditës dhe caktimin e ulëseve të deputetëve në sallë.

Lexo edhe:  Lushaku-Sadriu: VV cenoi rendin kushtetues të Kosovës, s’e lejojmë

Drejtimi i punimeve të seancës konstituive i takon deputetit më të moshuar, i asistuar nga ai më i ri në moshë, pa mundësi për debat parlamentar.

Rregullorja dikton që rendi i ditës të përfshijë formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, betimin solemn të deputetëve, si dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit bashkë me nënkryetarët.

Deri më 4 mars, afati për zgjedhje të presidentit

Vjosa Osmani ishte vendimtare në fitoren bindëse të Vetëvendosjes. Për të çuar vendin në zgjedhje më 28 dhjetor, Albin Kurti përdori për muaj me radhë manovra procedurale për të shmangur votimin e një qeverie për të cilën nuk i kishte numrat.

Në këtë proces, ai gjeti mbështetje të plotë te Presidentja Osmani: ajo tërhoqi një lëndë nga Gjykata Kushtetuese, ia dha mandatin e dytë Glauk Konjufcës pa dëshmi votash dhe, në fund, caktoi datën e zgjedhjeve në kulmin e pranisë së diasporës, elektorat kyç për Vetëvendosjen. Brenda pak kohe, këto veprime kontribuuan drejtpërdrejt në rezultatin prej mbi 51%.

Megjithatë, ky “borxh politik” nuk po kthehet në garanci për rizgjedhjen e Osmanit presidente. Pas 28 dhjetorit, Kurti e ka zbutur diskursin dhe është tërhequr pas “procedurave” dhe “rendit të gjërave”, pa dhënë zotim të qartë për mandatin e dytë të saj. As Vetëvendosja dhe as partnerët e saj nuk e kanë konfirmuar hapur mbështetjen.

Ndërkohë, opozita kërkon marrëveshje politike paraprake. PDK dhe LDK kanë paralajmëruar se pa konsensus nuk do ta votojnë presidentin, madje as nuk do të sigurojnë kuorum.