Osmani “i jep zemër” lojtarëve: Presim fitore, jeni krenaria e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar ekipin e Kosovës në futboll, para dy ndeshjeve kualifikuese të qershorit për Kampionatin Evropian.
Osmani, u tha lojtarëve që presim fitoren në dy takimet e ardhshme.
“Ju urojë sukses, presim fitore, pavarësisht rezultatit jemi gjithmonë me juve, jeni krenaria e Kosovës”.
E para e vendit shtoi se lojtarët janë shndërruar në ambasadorë të fuqishëm të Kosovës.
“Sot është një ditë e rendësishme, 12 qershori, dita e lirisë sonë, ku secili prej nesh e kujton atë sakrificë. Por nuk ka krenari më të madhe se sa të shohësh secilin prej jush duke e nderuar atë sakrificë aq shumë dhe duke e nderuar Republikën dhe flamurin tonë”, ka theksuar Osmani.
“E di që shumë prej jush jetoni jashtë vendit, e di që shumë prej juve nuk jetoni në Kosovë, kjo tregon që pavarësisht se larg, një copë Kosove gjithmonë e mbani me vet. Jeni të interesuar për fuqizimin e Kosovës në sport. Nëpërmjet sportit jeni shndërruar në ambasadorë të fuqishëm të Kosovës kështu që ne bëjmë ne tifo për juve dhe kur jeni në Kombëtaren e Kosovës por në klubet respektive ku luani”, u shpreh Osmani.
Kosova do të përballet me Rumaninë më 16 qershor në “Fadil Vokrri”, dhe tre ditë më vonë i shkon Bjellorusisë në Budapest.