Operacioni ‘Goditja’: Për dy ditë me radhë, Policia arrestoi 14 persona dhe konfiskoi 19 armë
Policia e Kosovës ka njoftuar se me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike, ka hartuar dhe që nga mbrëmë ka filluar së zbatuari një plan operativ i cili do të shtrihet në tërë vendin.
Në njoftimin e fundit të PK-së, janë dhënë disa statistika për veturat e kontrolluara, armët e sekuestruara, si dhe numrin e personave të arrestuar.
Policia e Kosovës ka njoftuar se pikësynim ishte qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate.
Gjatë operacionit të realizuar më 8 dhe 9 gusht, janë angazhuar 823 patrulla policore, janë vënë 871 pika për kontrolle dhe 331 pika kontrolli me radar ose alkootest.
Për dy ditë më radhë, janë kontrolluar 4848 vetura, 102 lokale të ndryshme dhe janë konfiskuar 19 armë të ndryshme.
“Janë arrestuar 14 persona të kërkuar me urdhëresë nga gjykatat”, thuhet në njoftim.