Nxënëset e shkollës në Rahovec e rrahin brutalisht 15-vjeçaren, thërrasin një shoqe 20-vjeçare si ‘përforcim’

Përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme në vend janë të shpeshta. Për motive të ndryshme, por kryesisht banale ata rrahen brutalisht, duke i zënë kështu sherri me Policinë. Kjo dukuri shqetësuese po i alarmon si prindërit, ashtu edhe drejtoritë e shkollave, për rrezikun në institucionet arsimore.

Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në shkollën e mesme “12 Maji” në Ratkoc të Rahovec, ku tri vajza, dy prej tyre nxënëse të shkollës, kanë sulmuar brutalisht një nxënëse brenda hapësirave të shkollës.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se nxënësja që u rrah është e moshës 15-vjeçare, e cila bashkë me prindin e saj ka vendosur që sot ta denoncojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer për dhunën që përjetoi nga të dyshuarat.

Sipas informacioneve të para, e dyshuara e moshës madhore, që nuk është nxënëse e shkollës, kishte shkuar aty që t’iu dalë në ndihmë shoqeve të saj për ta rrahur 15-vjeçaren, të cilën e kanë sulmuar dhe zvarritur nëpër tokë, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.

Pas denoncimit të rastit, Sinjali mëson se Policia ka arrestuar tri vajzat e dyshuara, njëra prej të cilave është ndaluar për 48 orë, teksa dy nxënëset e mitura janë dërguar në mbajtje për 24 orë.

Lexo edhe:  Tërmet i fortë në Francë