“Nuk ka qenë një ditë e lehtë për mua”, deputetja e VV-së reagon pasi iu bë virale videoja ku bllokoi gjatë fjalimit

Fjalimi i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, dje në Kuvend, për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikuar, është shpërndarë dhe komentuar, por jo për përmbajtjen.

Deputetja Kurti gjatë fjalimit në seancë ku u debatua për krijimin e një byroje për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, është ndalur disa sekonda dhe më vonë lexonte fjali që tingëllonin të paqarta.

Ajo sot ka thënë se është dekoncentruar gjatë fjalimit të djeshëm dhe se dita e djeshme nuk ka qenë një ditë e lehtë për të. Ndërsa ata, që Kurti beson se po e shpërndajnë fjalimin e saj për motive politike, thotë se i kupton “pasi kanë bërë gabime aq të mëdha në politikë, sa nuk mund të ringjallën më”.

“Po, dje jam dekoncentruar gjatë fjalimit. Nuk ka qenë një ditë e lehtë për mua. Tash disa po e shpërndajnë atë pjesë. Të gjithë i kuptoj. Jemi persona publikë dhe sigurisht edhe subjekt i komentimit. E pranoj si normale. Edhe ata që e shpërndajnë me motive politike i kuptoj. Kanë bërë gabime aq të mëdha në politikë sa nuk mund të ringjallen më”, ka shkruar deputetja sot në Facebook.

“Qoftë ky gabimi im më i madh. Për kaq, më duron ndërgjegjia. E ata që po më shkruajnë në mbështetje – situatat i bëjnë njerëzit. Situatat dhe qëndrimi mbi to e bëjnë jetën. Ju faleminderit, jam vërtetë e prekur!”.

Lexo edhe:  Pushteti në Skenderaj shpërblen anëtarin e PDK’së, reagon opozita