“Nuk e di çfarë t’iu servojë fëmijëve për syfyr”, minatorët ende nuk i morën rrogat e shkurtit – i zuri Ramazani pa blerë ushqime

Syfyri i parë i muajit të Ramazanit, Miftar Mehmeti po e zë pa e marrë rrogën nga puna në minierën e Trepçës.

“Së pari për syfyr nuk e di se çfarë t’iu servojë fëmijëve”, tha Mehmeti.

Edhe pse është dita e dhjetë e marsit, ndërmarrja “Trepça”, nuk i ka ekzekutuar ende pagat për rreth 1200 punëtorët e saj.

Mehmeti thotë se kjo po e detyron të hyjë në borxhe.

“I kam disa kolegë, disa bashkëluftëtar të mi në diasporë iu kam kërkuar 200 euro hua një bashkëluftëtari tim, mi ka dërguar, ato 200 euro i kam ndarë në tre pjesë me kolegë të mijë të “Trepçës””, tha Mehmeti.

Ndërkaq sindikalistët thonë se menaxhmenti e ka shkelur marrëveshjen e nëntorit, që rezultoi me ndërprerjen e grevës dhjetëditore të punëtorëve të nëndheshëm të Stan Tërgut.

“Pika e dytë në fillim është zbatuar deri më tash. Mirëpo, sot është data dhjet ende nuk janë pagat nuk e di kur do të dalin”, tha Gani Osmani, minator.

Megjithatë, sipas kryeshefit të “Trepçës”, Bashkim Kurti, minatorëve do iu shpaguhet mundi i shkurtit, të hënën.

“Sa i përket pagave, nesër do paguhen pasi që i kemi siguruar mjetet”, tha kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti.

Minatorët, e mbyllën muajin e kaluar, duke eksploatuar mbi 14 mijë ton xehe. Por, marsin nuk e nisën mbarë.

Është bërë rreth një javë që kur furnizimi i minierës me derivate e eksploziv është ndërprerë totalisht, kurse flotacionit iu ndërpre furnizimi me reagenca.

Për ATV-në, kryeshefi tha se kanë borxhe ndaj furnitorëve.

“Komisionet e pranimit të furnizimeve nuk i kanë pranuar naftën dhe reagencat për shkak të mospajtushmërisë me kontratën. Ndërsa sa i përket municionit nuk e kemi pranuar për faktin se kemi obligime të mëdha të prapambetura e që besoj se nesër do paguhen pjesërisht për të pasur mundësi furnizimi dhe pune në miniera”, tha Kurti.

Lexo edhe:  Policja i dha fund jetës me armën e shërbimit – Arrestohet i dashuri, del mesazhi i fundit që i dërgoi 21-vjeçarja

Mosfunksionimi i minierës dhe flotacionit më të madh në Kosovë, nënkupton humbje për vet ndërmarrjen.

Në total, borxhi i “Trepçës” ndaj furnitorëve është mbi gjashtë milionë euro.