Njëri kapet në vendin e ngjarjes, e tjetri arratiset – këta janë dy të rinjtë që dyshohet se therën me thika dy persona në Matiqan

Sot rreth orës 17:50 në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në Matiqan, ka ndodhur një përleshje me disa të rinjve, ku përpos grushteve është përdorur edhe thika. Si pasojë e rrahjes dy persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar me urgjencë në spital, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se njëri nga të dyshuarit është hasur në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri është arratisur që aty. Bëhet fjalë për 20-vjeçarin, Drilon Hasimi, i cili u shoqërua në stacion policor. Gjatë dhënies së deklaratës së tij, Hasimi para hetuesve ka bërë të ditur se në ngjarje është i përfshirë edhe 22-vjeçari, Ardian Tovërlani, i cili ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë konfiskuar dy thika, të cilat dyshohet se u përdorën nga Hasimi dhe Tovërlani gjatë kryerjes së veprës.

Ndërkohë dy personat që u lënduan, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po vazhdojnë trajtimin mjekësor pas plagëve të marra.

Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar “Vrasje e rëndë në tentativë në bashkëkryerje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, teksa Ardian Tovërlani është shpallur në kërkim policor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Mitrovicë: Mërgimtari del nga vetura dhe rrahet me një taksist