Një qytetar dyshohet se planifikoi vrasjen e shefit të Inspektoratit në Lipjan, aktivizohet Policia

Një qytetar në komunën e Lipjanit, dyshohet se ka planifikuar vrasjen e drejtorit të Inspektoratit, Flamur Sylejmani.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se kanë nisur hetimet lidhur me rastin, pasi Sylejmani tashmë ka bërë denoncim në Polici.

Sinjali mëson se shefi i Inspektoratit informacionin për atë që i kanoset e ka marrë nga dy qytetarë teksa po qëndronte në xhaminë e fshatit Kraishtë gjatë ditës së djeshme.

Ata e kanë paralajmëruar të ketë kujdes nga një person (emër i njohur për redaksinë), pasi që i njëjti ka planifikuar që ta vrasë atë.

Me të marrë informatën, njësitë policore janë vënë në lëvizje, me ç’rast kanë arrestuar personin e dyshuar të cilin e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim. Po ashtu, në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar edhe dy persona tjerë.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Kanosje’ dhe i njëjti do të hetohet në procedurë të rregullt.

Lexo edhe:  Zhduket një 38-vjeçar nga Peja, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për ta gjetur