Një muaj paraburgim burrit që mashtroi me vizë dhe i mori jashtëligjshëm 17.000 euro

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit H.H., që po dyshohet se ka kryer veprat penale mashtrim dhe kanosje.

Sipas njoftimit, nga marsi i 2022-s deri në dhjetor, i pandehuri nëpërmjet paraqitjes së rreme, e ka mashtruar të dëmtuarin A.A., duke i premtuar rregullim të vizës sllovake për djalin e tij.

Gjykata e Prizrenit bëri të ditur se për vizë, i pandehuri i ka kërkuar të dëmtuarit në vazhdimësi të holla, derisa shuma totale kap vlerën e 17.000 eurove.

I dëmtuari ia ka dërguar paratë H.H. nëpërmjet transaksioneve bankare, ndërsa në datat 16 dhe 17 dhjetor 2022-s, i pandehuri e ka kanosur atë nëpërmjet telefonit në gjuhën boshnjake me fjalët “do të të masakroj”.

I pandehuri do të qëndrojë për një muaj në paraburgim.

 

Lexo edhe:  Dhunë në një familje në Kaçanik: Burri e bën për spital bashkëshorten, përfundon në Polici