Një javë nga përballja e Policisë me grupin kriminal: Vëllai i grabitësit të vrarë akoma i pakapshëm

Sot janë bërë një javë nga aksioni i gjerë i Policisë së Kosovës dhe konfrontimi me grupin kriminal që kreu grabitjen e armatosur në argjendarinë “Diakos” në Suharekë. Operacioni policor përfundoi me një grabitës të vrarë, një zyrtar policor të plagosur edhe katër të arrestuar. Por Policia nuk arriti ta kap edhe një të dyshuar, i cili ndodhet akoma në arrati dhe është vëllai i grabitësit të vrarë. Katër të dyshuarit që organizuan grabitjen si në filma kanë të kaluar kriminale.

Krejt çka dihet për aksionin policor të 30 nëntorit

Si rezultat i hetimeve intensive të Policisë, fillimisht para dy javësh janë arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit vazhduan deri ditën e aksionit, kur edhe u zhvilluan bastisjet dhe po vijojnë për kapjen edhe të personit që ndodhet në arrati.

Dukagjin Gashi, i vrarë, vëllai i tij, Korab Gashi, që ndodhet në arrati dhe të arrestuarit Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku ishin cak i Policisë mesditën e 30 nëntorit.

Njësi të shumta policore zbarkuan në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë dhe realizuan kontrolle në shtatë lokacione të ndryshme.

Lokacioni ku u vra i dyshuari Dukagjin Gashi ishte lagjja Dragodan në Prishtinë, ku u kapën disa nga të dyshuarit, por që u parapriu një shkëmbim zjarri mes Policisë dhe Gashit.

Gjatë zhvillimit të operacionit Dukagjin Gashi, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë të dyshuarin.

Por, si pasojë e të shtënave, një zyrtar policor ka mbetur i plagosur, duke pësuar lëndime trupore, por i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Lexo edhe:  Tentim vrasje në Lipjan: Theren me thikë dy të mitur, pësojnë lëndime të rënda trupore

Aksioni përfundoi pasdite dhe përveç të arrestuarve, u sekuestruan edhe prova të tjera, teksa bastisjet vazhduan edhe për disa ditë. Në argjendarinë “Baraku” në Prishtinë, pronari i të cilës Trim Baraku, përfundoi atë ditë në pranga të Policisë, vazhduan kontrollet edhe këto ditë.

Dosja e Prokurorisë

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit “më datë 22 nëntor, në ora 15:45 min në qytetin e Suharekës, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos 2“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T. B., dhe A. B., me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme.”

Të dyshuarit, që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar kanë qenë të pajisur me armë frontale të gjata.

Në dosje thuhet se njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojes ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe.

Tutje, Prokuroria thotë se të maskuar dhe me armë të gjata, me veturën e markës “Chevrolet Cruze” ngjyrë hiri “largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezerc të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të paarritshëm, ndërsa me datë 30 nëntor 2023, të pandehurit Bujar Basha, Besart Istrefi dhe Leutrim Cakolli arrestohen nga Policia.”

Lexo edhe:  E dhimbshme: Babai sulmohet fizikisht nga djali, rrëzohet shkallëve të shtëpisë