Një 4-vjeçar kafshohet nga qeni endacak në oborrin e çerdhes në Prishtinë

Një fëmijë është kafshuar nga një qen endacak të hënën brenda oborrit të çerdhes publike “Gëzimi Ynë”, në lagjen “Ulpiana”, më Prishtinë.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar Aridona Demolli-Lumi, nëna e fëmijës. Ajo ka thënë se djali i saj 4 vjeç është kafshuar në të dy këmbët, derisa plaga në njërën këmbë është më e madhe.

Demolli-Lumi ka thënë se dëmi psikik është shumë më i rëndë se ai fizik.

“Dje është kafshuar djali im në oborr të kopshtit, njërën plagë e ka më të rëndë. Fillimisht aty ka shkuar ambulanca dhe i është mjekuar plaga, mirëpo më vonë është drejtuar edhe për në spital për shkak të plagës dhe tash duhet t’i bëhet pastrimi herë pas here”, ka thënë Demolli – Lumi.

Ajo ka thënë se menaxherja e kopshtit, i ka thënë se problemi i qenve endacakë nuk është përgjegjësi e kopshtit, por e Komunës.

“Menaxherja më tha që i kemi shkruar disa herë komunës për këtë problematikë mirëpo deri tash s’ka pasur zgjidhje”, ka thënë Demolli-Lumi.

KOHA nuk ka arritur të kontaktojë me drejtoreshën e kopshtit. Ajo nuk ësht përgjigjur as në mesazhin e dërguar.

Demolli-Lumi tha se as ajo nuk ka arritur të kontaktojë me të.

“Është jashtë vendit”, tha Demolli-Lumi.

Ndërkohë, Habib Qorri, shef i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës tha se nuk ka informacione lidhur me incidentin e së hënës. Ai nuk ishte në dijeni nëse më herët në komunë janë paraqitur kërkesa për rinovim të rrethojës.

“Duhet të shohim nëse kërkesa është bërë në drejtori të tjera”, tha Qorri. / KOHA.net

Lexo edhe:  Nga 16 marsi s’ka më vetura pa stikersa