Ngriten temperaturat, ky është parashikimi i motit për sot dhe ditët në vijim

Nga sot do të kemi rikthimin e vapës verore për shkak të ardhjes së masave më të nxehta ajrore nga Mesdheu e që origjinën e kanë nga Afrika veriore.

Kemi të bëjmë me një valë të re të të nxehtit veror, megjithatë jo aq ekstreme sikur herën e kaluar, pra kemi të bëjmë me nxehtësi krejtësisht normale verore.

Temperaturat fillojnë të rriten menjëherë të martën duke arritur mbi 30 gradë Celsius në Kosovë e deri në 35 gradë Celsius në rajon. E mërkura edhe pse mjaft e nxehtë, sjellë vranësira lokale dhe reshje të dobëta lokale të cilat zgjasin shumë pak.

Kulminacioni i kësaj vale të nxehtësisë do të jetë të enjten dhe të premten kur pritet të kemi fuqizimin e rrymimeve të nxehta ajrore nga Mesdheu drejt territoreve tona.

Sipas ecurive aktuale sinoptike, fundjava sjellë fundin e kësaj vale të nxehtësisë si dhe pritet të kemi edhe reshje shiu, lokalisht rrebeshe intensive me vetëtima dhe bubullimë si dhe ulje të temperaturave. Kjo valë reshjesh atmosferike nuk do të zgjasë shumë ngase stabilizim të motit pritet të kemi në fillim të javës së re kur parashihen rritje graduale të temperaturave.

Gjatë ditëve të ardhshme do të përcjellim me vëmendje evoluimin e gjendjes sinoptike dhe do tju njoftojmë me kohë për çdo ndryshim eventual.

Lexo edhe:  Të shtëna me armë në një lokal në Prishtinë, Policia gjen disa gëzhoja në vendngjarje