Ngjarje e dhimbshme për familjen Neziri në Fushë Kosovë: 50-vjeçari humb jetën si pasojë e sulmit kardiak
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në një familje në Fushë Kosovë, ku një 50-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e sulmit kardiak. Sinjali mëson se rasti fillimisht u denoncua kur viktima ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, por fatkeqësisht ai nuk mundi të mbijetojë dhe vdiq.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Agron Nezirin, shtetas i Maqedonisë, i cili fillimisht ishte gjetur pa ndjenja dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Posa viktima është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bresje, ekipi mjekësor pas ekzaminimeve për shenjat vitale, ka konstatuar që viktima ka ndërruar jetë.
Ndërkohë, një patrullë policore ka marrë deklaratë nga ish-gruaja e të ndjerit, e cila ka thënë se viktima ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Për t’i zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, Prokurori i Shtetut ka dhënë urdhër që rasti të iniciohet si “Hetim i Vdekjes” dhe të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme.