“I kam 50 euro, hajde ndalemi diku”/ Shoferi i taksit ilegal ngacmon seksualisht të miturën në Prishtinë, s’ia ndal veturën që të zbres

Një rast i ngacmimit seksual raportohet të ketë ndodhur dje në Prishtinë, ku viktimë dyshohet të jetë një vajzë e mitur, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur brenda veturës me të cilën i dyshuari kryen shërbimet për taksi ilegal në relacionin Prishtinë – Fushë Kosovë. Në praninë e prindit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, vajza e mitur ka rrëfyer në Polici gjithë tmerrin që përjetoi nga shoferi 36-vjeçar, i cili për më tepër nuk ia kishte ndalur veturën që të zbriste.

Sinjali mëson se 17-vjeçarja ka deklaruar se gjatë kohës që po udhëtonte me taksi ilegal për në Fushë Kosovë, shoferi e kishte ngacmuar me fjalët ‘i kam 50 euro, hajde ndalemi diku’, duke aluduar në krijimin e një raporti intim me të miturën.

Pos kësaj, ai kishte vazhduar ta ngacmojë edhe me fjalë të tjera, çka bëri që 17-vjeçarja të kërkojë që të zbres menjëherë nga vetura. Por i dyshuari nuk kishte përfillur kërkesën e saj, duke mos e ndalur veturën fare. Duke parë rrezikun që i kanosej, e mitura kishte vendosur që të kërcej nga vetura gjatë kohës që ajo ishte në lëvizje.

Me të denoncuar rastin, Policia ka ndërmarr një varg veprimesh hetimore, me ç’rast kanë identifikuar personin e dyshuar dhe veturën me të cilën ai vepron. 36-vjeçari është shoqëruar në stacion për intervistim, ku para hetuesve policorë ka pranuar veprën që ka kryer.

Me urdhër të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.

Lexo edhe:  E rëndë / Gjendet i vdekur në rrugë një person në Pejë