Nga xhelozia ushtron dhunë ndaj bashkëshortes, burri përfundon në Polici
Një rast dhune po dyshohet se ka ndodhur edhe sot në një familje në Xërxë të Rahovecit, ku viktimë është një 33-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur paradite, kur i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike për shkak të xhelozisë.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur të raportojë rastin në Polici dhe si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë intervenuar.
Burri i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.