Nga xhelozia e keqtrajton gruan me grushte e shqelma, burri në Gjakovë përfundon në pranga të Policisë

Dyshimet për tradhti dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre apo edhe anëtarët e tjerë të familjes.

Një rast i tillë po dyshohet se ka ndodhur edhe dje në një familje në Gjakovë, ku viktimë është një 40-vjeçare.

Siç mëson Sinjali, rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur në mëngjes, kur i dyshuari e ka keqtrajtuar gruan me grushte e shqelma për shkak të xhelozisë.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur të raportojë rastin në Polici dhe si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë intervenuar.

Burri i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa gruaja me fëmijët është dërguar në strehimore.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’ dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Lexo edhe:  Pal Lekaj hap “të pame” pas dënimit me burg