Nga armët tek simbolet nacionaliste, krejt çka zbuloi policia në bastisjet e fundit në veri
Policia e Kosovës gjatë të martës ka zhvilluar dy aksione të ndara në pjesën veriore të vendit, ku janë gjetur armë të fshehura dhe artikuj me simbole nacionaliste serbe.
Operacionet u zhvilluan në fshatin Junake të Zveçanit dhe në një lokal në Leposaviq, si pjesë e angazhimit të autoriteteve për rritjen e sigurisë dhe sundimin e ligjit në këtë pjesë të vendit.
Rreth orës 15:00 Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë Kufitare ka kontrolluar një zonë pyjore në fshatin Junake të Zveçanit.
Pas ndërhyrjes në terren dhe kontrollimit të zonës, policia ka gjetur tri armë të gjata, një pushkë gjysmë automatike dhe dy pushkë gjuetie të futura në një gyp metalik dhe të fshehura me kujdes në pyll, si dhe sasi municioni.
Njësiti për trajtimin e mjeteve të rrezikshme shpërthyese dhe hetuesit rajonalë janë përfshirë në hetimin e rastit.
Armët dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e ndonjë të dyshuari
Ndërkohë, në një lokal në Leposaviq gjatë një bastisjeje të kryer nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Doganën dhe Njësinë e Hetimeve Rajonale, janë gjetur bluza, pajisje elektroshoku dhe artikuj të tjerë me simbole dhe mbishkrime të dyshuara nacionaliste.
Për shkak të natyrës së materialeve të sekuestruara, është njoftuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani konfirmoi se në të dy rastet nuk ka të arrestuar deri më tani.
Këto veprime vijnë në kuadër të angazhimit të Policisë së Kosovës për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme në pjesën veriore të vendit.