Nëntë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve, një nga viktimat merr lëndime të rënda trupore
Brenda 24 orëve të fundit në rajone të ndryshme të Kosovës janë raportuar hiç më pak se nëntë raste të dhunës në familje, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, më së shumti raste janë regjistruar në rajonin e Gjakovës, saktësisht në komunat Rahovec, Malishevë dhe në qytetin e Gjakovës.
Në Rahovec një person është arrestuar pasi i njëjti dyshohet se ka kanosur përmes telefonit një grua. Pas intervistimit nga organet e hetuesisë, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Po ashtu në Malishevë, dy gra kanë raportuar se një burrë dhe një grua tjetër kanë ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tyre. Si pasojë e dhunës së përjetuar, viktimat kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Një tjetër rast i dhunës në familje u regjistrua në Malishevë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore. Ndihmë në spital, përveç viktimës, kërkoi edhe vetë i dyshuari. Pas arrestimit, të njëjtit i është shqiptuar masa e ndalimit policor.
Edhe në Gjakovë një person është denoncuar për dhunë në familje. I njëjti menjëherë pas kryerjes së veprës është arratisur dhe nuk dihet ende vendndodhja e tij.
Rajoni i dytë me më së shumti raste të dhunës në familje të raportuara për 24 orë, është ai i Prishtinës.
Në Lipjan një grua denoncoi burrin, të cilin e akuzoi për dhunë psikike dhe fizike. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt, ndërsa viktima është dërguar në strehimore.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një grua në Prishtinë e cila ka raportuar se është përballur me dhunë verbale nga burri, si dhe e njëjta dyshohet se është sulmuar nga djali i saj i mitur. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe më pas është lënë që të hetohet në liri.
Sherr pati edhe në një familje në Podujevë, ku dy gra dyshohet se pas një konflikti verbal kanë tentuar që të sulmojnë fizikisht njëra-tjetrën. Njëra prej tyre ka pësuar lëndime trupore dhe më pas ka kërkuar ndihmë mjekësore, ndërkohë që me urdhër të prokurorit janë liruar.
Një rast më i rëndë është raportuar në Pejë, ku një person ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e dhunës në familje. I dyshuari është vënë në prangat e Policisë dhe është dërguar në mbajtje si i dyshuar për dy veprat penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Dhunë në familje’.
Policia intervenoi edhe në një familje në Mitrovicë, ku një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikike. I dyshuari është dërguar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Kujtojmë se vazhdimisht raportohen raste të shumta të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë. Edhe gjatë ditës së djeshme, po ashtu janë raportuar nëntë raste të dhunës brenda familjes.