“Ka m’u ba gjaku deri në gju”- Detaje nga rasti i dhunës në familje në Kamenicë, burri akuzoi gruan për tradhti

Më 25 nëntor ka nisur fushata 16 ditore të aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, e cila synon realizmin e aktiviteteve të ndryshme me qëllim parandalimin e dhunës dhe trajtimin e rasteve me seriozitet.

Me sloganin ‘Sot dhe çdo ditë tjetër!’, institucionet janë zotuar për përkushtim maksimal për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Pavarësisht kësaj, gjatë këtyre ditëve janë raportuar me dhjetëra raste të dhunës në familje.

Një rast i tillë u raportua gjatë ditës së djeshme në fshatin Koretin të Kamenicës,ku një person [emër i njohur për redaksinë, por që për hir të ruajtjes së privatësisë së viktimave, nuk publikohet identiteti] dyshohet se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje nga ngjarja e rëndë, ku kryefamiljari pas akuzave ndaj bashkëshortes së tij, se po e tradhton me dhëndrin, dyshohet se me armë zjarri ka kërcënuar vajzën 26-vjeçare dhe mikun e tij.

Bazuar në dëshminë e viktimave, në rast kanë ndërhyrë nëna e e 26-vjeçares dhe vëllai i saj, të cilët kanë parandaluar ngjarjen që mund të shndërrohej në tragjedi.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili gjatë intervistimit nga organet e hetuesisë ka pranuar se posedon armë ilegale.

Sipas njoftimit të Policisë, 62-vjeçarit i janë gjetur dhe sekuestruar armët pa leje si në vijim:

  • Një (1) pushkë automatike e llojit AK 47,
  • Dy (2) karikator të pushkë automatike,
  • Njëqind e pesëdhjetë e tre (153) fishekë të kalibrit 7.62×39 mm
  • Një (1) pistoletë të llojit M57 e kalibrit 7.62
  • Dy (2) karikator të pistoletës dhe
  • Tredhjet e një (31) fishekë të kalibrit 7.62 mm

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor. I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Lexo edhe:  “Kam me ta ndalu me hy në Gjakovë…”/ 54-vjeçari i del në pritë ish-partneres 38 vjeçare, ndërhyn policia!

Kujtojmë që dhuna në familje në shumë raste ka përfunduar edhe me fatalitet.

Lista me emrat e grave të vrara nga bashkëshortët e tyre, zgjatet nga viti në vit.

E, për këtë shumë shpesh janë fajësuar edhe institucionet e drejtësisë, për shkak se sipas raportimeve ndër vite, të gjitha viktimat, më parë kanë denoncuar dhunën ndaj tyre, mirëpo thirrja e tyre për ndihmë kishte hasur në vesh të shurdhër.

Rastet makabre të vrasjeve ndaj grave në të shumtën e rasteve janë përcjellë me protesta të shumta nga qytetarët e revoltuar.