Nëna në Prishtinë e denoncon të birin për dhunë psikike, dërgohet në mbajtje i dyshuari 34-vjeçar
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe dje në një familje në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se i dyshuari 34-vjeçar ka ushtruar dhunë psikike, duke i bërë presion dhe për pasojë i ka shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.
Kjo ka bërë që nëna e tij ta njoftojë Policinë dhe si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka arrestuar të dyshuarin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit si “Dhunë në familje”.