Nëna falënderon dy zyrtarët policorë: Falë tyre vajza ime është gjallë sot

Një nënë nga fshati Bardhosh i Prishtinës ka falënderuar dy zyrtarë policorë që ia shpëtuan jetën vajzës së saj, e cila që pak ditë ka mbushur një vjet.

Për Gazeta Insajderi, L.Sh (nëna) ka rrëfyer tmerrin që përjetoi në mbrëmjen 5 korrikut, e që sipas saj sikur të mos takohej me policët Dardan Syla e Gordana Grujicin, vajza e saj rrezikonte jetën. Gjendja e vogëlushes në atë natë ishte tejet e rëndë, pa vetëdije.

Moti ishte tejet i ligë, shiu e stuhia nuk kishte të ndalur.

L.SH e cila dashur të mbesë anonim, ka rrëfyer për Insajderi se si ndodhi krejt rasti.

“Dua t’i falënderojë Dardan Sylën dhe Gordana Grujićin nga Njësia e nënstacionit Bërnic-Bardhosh. Falë ndihmës së tyre sot vajza ime 12 muajsh është në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë ajo.

Pasi vajza ishte në gjendje të rëndë, nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Bardhosh i kërkojnë që me shpejtësi të dërgohet drejt QKUK-së.

L.Sh me shpejtësi e kishte vendosur vajzën në veturë thuajse pa vetëdije, dhe mori rrugën drejt spitalit.

Siç thotë ajo, kur e pa vajzën e saj që nuk po jepte asnjë shenjë përkundër thirrjeve të saj, humbi kontrollin, ndërkohë që moti i ligë po ia vështirësonte edhe më shumë vozitjen. Ndali veturën e mori në gjoks vajzën.

Dy zyrtarët policorë, fatmirësisht u gjenden në rrugë ku L.Sh kishte ndalur, me të parë gjendjen e saj i dolën në ndihmë. Njëri voziti veturën e L.Sh derisa ajo po e mbante vajzën me të dhe tjetri polic e voziti me shpejtësi veturën zyrtare duke ia lëshuar sirenat.

Dhe vetëm falë tyre, nëna thotë se vajza arriti në kohë në QKUK. E sot ajo gëzon shëndet të plotë.

Lexo edhe:  Konfirmohet: Për pak ditë nis furnizimi me pasaporta, letërnjoftime e patentë shoferë

“Me datën 5 korrik në mbrëmje rreth orës 21:00 në Bardhosh, rruga “Skënderbeu” ishim duke e dërgu në Pediatri-Emergjencë dhe nuk isha në gjendje të vozisë për shkak të gjendjes së rëndë të vajzës e cila ishe pa vetëdije, rrugës kemi takuar Dardanin dhe Gordanën dhe na kanë dërgu në Emergjencë si rast urgjent, poashtu e kanë lajmëru emergjencën që të jenë gati sapo rasti të mbërrij, dhe falë tyre mbërritëm në kohë që të shpëtonte vajza”, ka thënë nëna e një vjeçares.

Të dy prindërit thanë se do të jenë falënderues për gjithë jetën për gjestin human, të të dy policëve.

Falënderimin vendosën që ta bënin edhe përmes Insajderit duke na përcjellur edhe një fotografi të vajzës me dy policët.

Siç mëson Insajderi, të dy policët janë shpërblyer me mirënjohje për gjestin edhe Policia e Kosovës.