Nëna e Thaçit në pritje të urimit nga Haga, sot mbushi 87 vjet

Nëna e ish-presidentit Hashim Thaçi, sot mbush 87 vjet. Kjo është bërë me dije nëpërmjet një postimi në faqen Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”.

Njoftimi i plotë i Fondacionit “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”:

Vitet po shkojnë, po shtohen, por malli i prindërve për bijtë e tyre kurrë nuk shuhet. Duke u torturuar në mendime për burgun e Hagës, nëna Hyrë që sot po pranon urime nga tërë familjarët, me padurim po e pret edhe thirrjen e djalit të saj, Hashimit, që këtë herë t’ia urojë ditëlindjen e 87-të. Më vete, sigurisht thotë: “Shkoi edhe një vit. Ishalla kam jetë ta pres deri sa të lirohet”.

Djali i saj ishte djalë i Kosovës që nga vitet e 90-ta. Në fillim si i përndjekur, më pas si luftëtar i lirisë dhe pastaj fati i popullit dhe i shtetit ishin preokupim jetësor i tij si lider. Lufta për liri, paqja, bashkëjetesa, shteti, zhvillimi e integrimi u bënë jeta e tij si kryeprotagonist i historisë së re të popullit dhe vendit tonë.

Nëna Hyrë nga ajo kohë nuk e kishte afër dhe po i mohohet ta ketë edhe tash në vitet e pleqërisë. Kjo është edhe një ditëlindje tjetër e saj pa të, por dita kur Hashim Thaçi do t’i kthehet familjes dhe Kosovës tashmë nuk është e largët.
Jetë të gjatë, nënës Hyrë!

Lexo edhe:  Ministri viziton ushtrinë serbe jo shumë larg Kosovës, thotë se janë në "gjendje gatishmërie"