Nëna 72-vjeçare i çon marihuanë e kokainë djalit që po vuan dënimin në Burgun e Dubravës
Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike.
Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve.
Kështu ka ndodhur edhe dje në orët e pasdites, kur një grua e moshuar ka përfunduar në Polici pasi dyshohet se ka tentuar t’i jap substanca narkotike djalit të saj që po vuante dënimin në Burgun e Dubravës.
E dyshuara 72-vjeçare kishte shkuar për vizitë te i burgosuri dhe tentoi ta ‘furnizojë’ me drogë, të llojit marihuanë dhe kokainë. Por plani i dështoi, pasi siç mësohet, e moshuara u kap nga oficerët korrektues, pasi e kontrolluan, duke ia gjetur kështu qeset me drogë të fshehura në xhaketë.
Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia, ku u sekuestrua droga, teksa e dyshuara është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar.
Burimet kanë bërë të ditur se me urdhër të prokurorit, kanë nisur hetimet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.