Në shtator kur vendi ishte në kolaps, Kosova i shiste energji elektrike Serbisë

Në muajin shtator të këtij viti kur qytetarët po përballeshin me reduktime të ashpëra të energjisë elektrike, Kosova ka qenë në kulmin e tregtisë me energji elektrike me Serbinë.

Duket e pabesueshme, por Gazeta Infokus ka siguruar fakte që tregojnë se pikërisht gjatë këtij muaji kur vendi ishte në kolaps energjetik, Kosova më shumë ka eksportuar sesa që ka importuar energji elektrike nga rrjetet e vendeve fqinje.

Në muajin shtator, sipas dokumenteve që po mbahen të fshehura nga opinioni publik, sasi e eksportuar për në vendet fqinje nga rrjeti elektro energjetik i Kosovës për në vendet fqinje ka qenë 323 mijë e 521 megavat.

Kurse importi nga këto vende për periudhën e njëjtë të këtij muaji të krizës energjetike ka qenë 273 mijë e 288 megavat.

MST: Importi nga Serbia në top vendin e parë

Serbia bazuar në këto dokumente është vendi që ka shkarkuar në rrjetin energjetik të Kosovës sasinë me të madhe të energjisë elektrike.

Ndërsa, nga rrjeti i Kosovës në atë të Serbisë kanë shkuar rreth 25 mijë e 220 megavat energji elektrike.

Kjo sasi mund të jetë eksportuar gjatë orëve të natës kur prodhimi është më i lartë se konsumi e çmimet shpesh herë janë më të vogla sesa vlera e prodhimit.

Por skandali qëndron të sasia e madhe e importit nga Serbia që është shumëfish më e lartë sesa me Shqipërinë e me gjitha shtetet e tjera.

Sasia e energjisë elektrike e importuar nga Serbia, sipas këtyre dokumenteve që ka siguruar Gazeta Infokus është hiq me pak se 170 mijë megavat energji elektrike.

Nëse kjo sasi llogaritet me çmimin që ishte konfirmuar nga KEDS-i në muajin shtator, e që është thënë se ka arritur në 700 euro për megavat, del se kjo sasi e importuar kap shifrën prej hiq më pak se 118 milionë euro.

Lexo edhe:  Brakstiset një foshnje në kosh plehrash, nëna lë letrën prekëse pranë tij

Ose llogaritur me një mesatare prej 500 euro për megavat del se është importuar energji elektrike nga Serbia në vlerë prej 85 milionë euro vetëm në muajin shtator.

“Ka ulje nga prodhimi vendor dhe ka rritje të madhe të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ku energjia e kohës së pikut ka arritur deri në 700 euro/MWh. Kjo krijon situatë të vështirësuar dhe është indikator i një vështirësie të madhe që e pret sistemin gjatë dimrit”, kishte deklaruar zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala në korrik të këtij viti kur Kosova po përballej me reduktime të energjisë elektrike deri me nga 6 orë pa rrymë.

Megjithatë nuk dihen saktë çmimet e as emrat e kompanive që kanë tregtuar këtë energji elektrike, ose a ishte destinacion i fundit Kosova, por të dhënat zyrtare që po mbahen të fshehura në KOSST e të cilat i ka siguruar Gazeta Infokus tregojnë se shkëmbimi mes rrjeteve të transmisioneve të energjisë elektrike, Kosovës e Serbisë ka qenë gjithsejtë import dhe eksport në sasi prej mbi 195 mijë megavat.

Kjo energji në një sasi të vogël siç thonë ekspertët mund të këtë kaluar edhe si tranzit përmes rrjetit energjetik të Kosovës, por gjasat janë të vogla kur shihet nënstacionet nga ku janë shkëmbyer sasitë e kësaj energjie elektrike.

MST: Importo nga Serbia e eksporto në Shqipëri

Interesante duket edhe shkëmbimi energjisë elektrike me shtetin shqiptar.

Gjatë muajit shtator, derisa Kosova kishte importuar mbi 170 mijë megavat nga Serbia, me Shqipërinë importi ishte vetëm 20 mijë megavat energji elektrike.

Kurse e kundërta e këtyre shkëmbimeve është në eksport. Për periudhën e njëjtë, derisa në Serbi, Kosova ka eksportuar vetëm 25 mijë e 200 megavat, në Shqipëri ka eksportuar rreth 130 megavat energji elektrike.

Lexo edhe:  Togeri i FSK-së merr çmimin ‘Honor Graduate’ në SHBA

Me shtetin shqiptar, siç dihet Kosova ka marrëveshje të shkëmbimit tregtar pa implikime komerciale por me kthim 1 me 1 për megavat.

Derisa shifrat tregojnë se sasia më e madhe e importit ka qenë nga Serbia, eksporti më i madh i energjisë nga Kosova në rrjetin e vendeve fqinje figuron në atë të Malit të Zi.

Sasia e eksportuar e energjise elektrike nga Kosova për në Mal të Zi, sipas këtyre dokumenteve është mbi 150 mijë megavat, derisa importi me këtë shtet ka qenë shumë i vogël, në sasi prej vetëm 3600 megavat.

Kurse me Maqedoninë, importi ka qenë i lartë në sasi prej mbi 80 mijë megavat, kurse eksporti rreth 16 mijë megavat.

MST: Allashvereshet nuk ndalen edhe pse dy komisione parlamentare po hetojnë dallaveret në energjetikë

Në të njëjtën kohë kur tregtimi i energjisë elektrike është duke u bërë në masën prej 60 % me Serbinë, në Parlamentin e Kosovës janë duke punuar dy komisione hetimore të formuara me 5 maj të këtij viti.

Dy këto komisione hetimore u formuan pas debatit të madh që shpërtheu pas skandalit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i dyshuar për lidhjen e tij me një kompani të energjisë me përfaqësi në Beograd nga e cila i kishte marrë rreth 600 mijë euro.

Njëri komision hetimor është duke hetuar keq menaxhimin dhe keqpërdorimet e mundshme të vitit të kaluar kur vendi ishte në krizë të thellë të energjisë elektrike, i kërkuar nga opozita, kurse komisioni tjetër po heton periudhën nga viti 2009 e deri në 2021 i kërkuar nga partia në pushtet Vetëvendosje.

Këta të fundit në vazhdimësi kanë ngritur debat e kanë pasur kritika të mëdha për tregtinë me energji elektrike me Serbinë.

Lexo edhe:  Vjedhja e 750 eurove në butik: Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për ta identifikuar gruan e dyshuar

Madje edhe tani, partia në pushtet në vazhdimësi proklamon arritjet se kanë ndalur tregtinë e energjisë me Serbinë.

Më i zëshmi në këtë temë, kohëve të fundit është deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja. Në postimin e fundit, deputeti Muja ka shkruar se Kosova ndërmjet vitit 2006 – 2013 ka importuar energji elektrike nga Serbia në vlerë prej 314 milionë euro.

Në këtë postim kur është pyetur nga një qytetar se nga po importohet tani energjia elektrike Kosova, deputeti i partisë në pushtet i është përgjigjur duke thënë se importi tani është nga Danimarka, Maqedonia dhe Shqipëria.