Në mungesë të njërit të akuzuar dhe avokatit të tij, dështon seanca ndaj tre kirurgëve të Spitalit të Vushtrrisë të akuzuar për ryshfet

Në mungesë të njërit të akuzuar dhe avokatit të tij, dështon seanca ndaj tre kirurgëve të Spitalit të Vushtrrisë të akuzuar për ryshfet

Në mungesë të të akuzuarit Isuf Zekaj dhe mbrojtësit të tij, avokatit Mahmut Halimi, është shtyrë seanca fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në rastin ku Zekaj, bashkë me Arsim Latifajn dhe Ekrem Sefiun, në cilësinë e kirurgëve në Spitalin e Vushtrrisë “Sheik Zayed”, po akuzohen për marrje të ryshfetit nga disa pacientë.

Për mungesën e të akuzuarit Zekaj, gjykatësi i rastit Fatos Sejdijaj tha se përmes mbrojtësit të tij, avokatit Mahmut Halimi e ka njoftuar gjykatën se ka një udhëtim jashtë vendit për një trajnim të mjekëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e sotme nuk ishte prezent as i akuzuari Arsim Latifaj, për të cilin avokati i tij Shyqyri Syla tha se e kishte njoftuar të mbrojturin e tij se nuk do të ketë kushte për mbajtjen e kësaj seance, dhe se i njëjti kishte për ta kryer një operim në Klinikën Amerikane “Behar Gusari” në Prishtinë.

Prezent nuk ishin as të dëmtuarit Xh.E dhe U.H.

Ndërsa, të pranishëm në seancën e sotme gjyqësore ishin prokurorja Fetije Bajrami, i pandehuri Ekrem Sefiu me mbrojtësin sipas autorizimit zëvendësues, avokatin Xhelal Hasani, mbrojtësi i të akuzuarit Latifaj, avokati Shyqyri Syla, të dëmtuarit P.F., dhe F.B.,

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua për muajin dhjetor të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 30 korrik 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Isuf Zekajt, Arsim Latifajt dhe Ekrem Sefiut.

Sipas aktakuzës, Isuf Zekaj po akuzohet se në cilësinë e doktorit- kirurgut, shef i repartit të Kirurgjisë në Spitalin “Sheik Zayed”- Vushtrri, më 20 dhjetor 2021 dhe 15 shtator 2022, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe ka pranuar përfitim material për veten në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij si mjek – kirurg.

Lexo edhe:  Dhunohet një e mitur në Prishtinë, nëna e saj e raporton rastin dhe kërkon ndihmën e Policisë

Aty thuhet se ka marrë para nga familjarët e pacientëve kinse për të blerë pajisje mjekësore, dhe atë 250 euro për operim kirurgjik të pacientes F.F, 200 euro për operim të pacientit Xh.E, dhe 250 euro për operim kirurgjik të pacientes Xh.H. Veprimet për dy pacientët e fundit, thuhet se vërtetohen nga video-incizimi i 15 shtatorit 2022.

Me këto veprime, sipas aktakuzës ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i pandehuri Arsim Latifaj akuzohet se më 19 korrik 2022 në Spitalin e Vushtrrisë, në cilësinë e doktorit- kirurg, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar përfitim material për veten për të vepruar sipas detyrës së tij si kirurg, ashtu që për operim kirurgjik të pacientes H.Sh., ka marrë shumën prej 120 euro, kinse për blerjen e pajisjeve mjekësore-klipave për operim. Kjo thuhet se vërtetohet nga deklarata e dëshmitarëve D.Sh., dhe K.D-M.

Me këto veprime, sipas aktakuzës Latifaj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Ndërsa, në dispozitivin e tretë të aktakuzës, i pandehuri Ekrem Sefiu akuzohet se më 27 shtator 2022 në Spitalin “Sheik Zayed” në Vushtrri, në cilësinë e doktorit/kirurg, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar përfitim material për veten për të vepruar sipas detyrës së tij si kirurg, ashtu që për operim kirurgjik të pacientes E.B., nga djali i saj F.B., ka marrë para në vlerë prej 140 euro kinse për blerje të pajisjeve mjekësore për operim. Kjo thuhet se vërtetohet me video-incizimin e asaj date.

Lexo edhe:  Kjo është e reja që vdiq në Drenas pas vetaksidentimit me motoçikletë

Me këto veprime, sipas aktakuzës Sefiu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.