Në këto kushte punon Policia e Kosovës, nuk iu ndizej vetura (VIDEO)

Avokati Besnik Berisha, ka postuar në profilin e tij në Facebook një video, ku dy policë shihen teksa tentojnë të nisin veturën e tyre, e cila nuk ndizet për shkaqe teknike, bashkë me ndihmën e dy qytetarëve.

Berisha tha se këtë video ia kanë dërguar që të postohet në portal, me qëllim të përqeshjes së policisë, transmeton Klankosova.tv.

Në video, qytetari që incizonte policët dëgjohej duke thënë: “N’kam a? Ani, kurgjo s’osht, qashtu ecni, ecni knaqnu”, ndërkohë tjetri pranë tij thoshte “T’dalim t’bojm hajgare”.

“Para pak ditësh ma dërguan këtë video për ta postuar në Sinjal, me qëllim të përqeshjes së policisë që shtyenin makinën e tyre zyrtare. Ky veprim i policisë per mua dhe Sinjalin jo vetëm që nuk është për t’u përqeshur, por në fakt është për t’u alarmuar, ndaj dhe se kemi postuar”, ka shkruar Berisha, transmeton Klankosova.tv.

“Megjithatë, në shenjë respekti dhe përkrahjeje për punën e palodhshme të qindra e mijërave zyrtarëve policorë, po e postoj këtu, me shpresë që do nxisë sadopak kompetentet për të menduar për kushtet e rënda të punës, pajisjet e vjetruara dhe pagat minimale qe marrin policët tanë”, u shpreh tutje ai.

“Ne vërtet krenohemi me policët tanë, të cilët edhe personalisht edhe si shtet na bëjnë krenar, por aspak dhe asnjëherë nuk kujdesemi mjaftueshëm për kushtet e tyre te punës, sigurinë e tyre dhe të ardhurat e tyre. Nëse duam qetësi dhe siguri, duhet gjithsesi dhe sa më parë të investojmë më shumë në polici! Mirënjohës për punën e policisë!”, përfundoi avokati.

Komentet e Berishës vijnë mbi kushtet në të cilat punon Policia e Kosovës, pas sulmit ndaj pesë policëve në Leposaviq.

Lexo edhe:  Ndërron jetë veterani i UÇK-së, Enver Geci