Ndodh sërish: Një person blen gjësende me 100 franga false në Kaçanik, merr mbi 95 euro kusur origjinal

Rastet kur qytetarët kanë tendenca për të paguar shërbime të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra euro dyshohet që çdo ditë po vihen në qarkullim, në  tregun e Kosovës. Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për raste të tilla, kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i kapur të dyshuarit.

Këtë herë një rast i tillë ka ndodhur në një shitore në fshatin Begrace të Kaçanikut.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se pronari i marketit ka raportuar në Polici se pak ditë më parë një klient ka blerë gjësende në vlerë të 5 eurove në marketin e tij. E i dyshuari pagesën e kishte kryer me 100 franga zvicerane që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Në momentin e pagesës, punëtori i shitores nuk e ka vërejtur këtë dhe i ka kthyer të dyshuarit kusurin origjinal.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.

Kujtojmë se paratë e falsifikuara po qarkullojnë me të madhe në Kosovë. Sipas burimeve të Sinjalit, kualiteti i parave false që po vihen në qarkullim është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Lexo edhe:  Arrestohet Rron Gjinovci