Ndalohet përdorimi i disa qeseve të plastikës, tjerat bëhen me pagesë
Me moton “Thuaj Jo qeseve plastike! Ruaje mjedisin”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës bëri të ditur se është finalizuar Udhëzimi Administrativ, me ç’rast qeset e plastikës janë bërë me pagesë e disa do të ndalohen krejtësisht.
Në një konferencë për media të enjten ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, tregoi se cilat qese do të ndalohen e cilat do të bëhen me pagesë.
Aliu tha se do të lejohen vetëm qeset që lejohen për fruta, nga 25 deri 50 mikronë do të lejohet përdorimi i tyre, e të cilat do të kushtojnë 5 centë.
“Me udhëzimin administrativ që ka të bëjë me qeset e plastikës do të ju informoj se do të kemi ndalim të prodhimit të qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron. Pra qeset e holla të plastikës të cilat përdoren sot dhe mund të merren në markete falas do të ndalohen plotësisht. Nga 0 deri 25 micronë do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta e nuk do të kenë ato mbajtëset. Ndërsa qeset nga 25 deri në 50 micronë do të lejohet përdorimi i tyre dhe do të kushtojnë 5 centë por nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesve apo të reklamës. Do të kemi njëkohësisht ndalim të prodhimit, importit, dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse… Për qeset e plastikës të biodegradueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie me një certifikatë përkatëse që vërteton që qeset e plastikës janë nga materiali i biodegradueshëm nuk do t’i vendoset çmim shitje minimale detyrues e as tarifës prej 0.02 euro. Për qeset e plastikes mbajtëse me doreza mbi 50 micronë nuk do të vendoset çmim shitjeje minimal detyrues e as tarifë prej 0.02 euro”, tha Aliu.
Ministri Aliu tha se me udhëzimin administrativ do të krijohet mundësia e rimbursimit të dispozitave, porse, sipas tij ky proces do të marrë kohë.
“Sistemi i rimbursimit të depozitave është çështje tjetër, është një projekt i cili me udhëzimin administrativ krijohet mundësia fillimit të sistemit të rimbursimit dhe depozitës, por i cili nuk mund të filloj menjëherë. Për ta filluar sistemin e rimbursimit dhe depozitës duhet të ndërtohet një sistem ku do të jenë të përfshirë edhe prodhuesit, edhe shitësit dhe importuesit e ambalazhit që janë shishet e plastikës, kanaçet e aluminit, shishet e qelqit. Është projektuar që të mbajë të paktën këto shishe 0.25 litra lëngë dhe më së shumti deri në 2 litra lëngë dhe të jenë të mbyllura në gjendje hermetike dhe të pa përshkueshme nga uji në pikën e shitjes. Ato cka përjashtohen nga sistemi i rimbursimit dhe depozitave janë, ambalazhi i produkteve të qumështit, ambalazhi i pijeve alkoolike, kavanozat e qelqit dhe kuti prej kartoni”, shtoi Aliu.
Aliu uron që deri në fund të vitit që vjen të mund të ketë rezultatet e para, që pastaj të fillohet të bëhet edhe implementimi i procesit.
“Që të fillohet ky sistem duhet ndërtuar një sistem nëpër të gjitha marketet dhe menaxhimi i tyre duhet që të bëhet në bashkëpunim nga palët e rëndësishme, prodhuesit, importuesit dhe tregtuesit e shitësit e keture ambalazheve. Në të gjitha marketet e sidomos ato të mëdha duhet që të jenë pajisjet e rimbursimit në mënyrë automatike që i bie që qytetarët, të gjitha këto ambalazhe do të kenë shenjën përkatëse të vendosur në to e cila në mënyrë elektronike do të mund ta rikthejë depozitën ta rimbursojë përmes pajisjeve që do të vendosen nëpër markete. Këto sisteme i kemi parë dhe janë duke u aplikuar edhe në vendet e BE-së.. Dhe urojmë që deri në fund të vitit që vjen të mund të kemi rezultatet e para, që pastaj të fillojmë të bëjmë implementimin e saj”, tha tutje Aliu.
E shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, derisa u bëri thirrje tw gjitha kompanive të zbatojnë këtë masë, shtoi se nëse do të ketë sukses në zbatimin e rregullave evropiane do të ketë ulje 33 për qind të numrit të përdorimit të qeseve njëpërdorimëshe.
“Nëse kemi sukses në zbatimin e rregullave evropiane do të kemi ulje 33 për qind të numrit të përdorimit të qeseve njëpërdorimshme. Duam të ndajmë gjithashtu me ju përvojat tona, të asistojmë Kosovën që të gjejë zgjidhje afatgjate për punën e mbeturinave plastike përmes ricikilimit dhe përdorimit. Zbatimi i duhur të akteve të reja ligjore është para nesh dhe shpresoj që do të kemi ndikim të mirë për Kosovën”, tha Bianciardi.
Shefja për Bashkëpunim në Ambasadën gjermane në Kosovë, Vera Baumann, tha se Kosova me këtë akt ligjor po shënon një hap për një vend më të pastër. Ajo shtoi se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë drejtim.
“Sot po shënojmë një hap për një Kosovë më të pastër që e kemi arritur me partneret dhe qeverinë e Kosovës. BE është rrugë drejt një shoqërie të vetëdijshëm për qeset e plastikës. Është një fillim për një Kosovë më të pastër e përgëzojmë Kosovën për këtë akt ligjor…Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, njerëzit e saj, në përpjekje për një mjedis të pastër e të shëndetshëm ”, tha ajo.