Ndahet nga jeta infektologu, Dr. Liri Vrenezi
Dje, në moshën 83 vjeçare ka ndërruar jetë Dr.Liri Vrenezi, mjek specialist infektolog, bëhet e ditur në një njoftim mortor nga spitali i Prizrenit.
“Me veshjen e mantilit të bardhë, në cilësi të mjekut dhe specialistit në fushën e sëmundjeve ngjitëse, për më shumë se 40 vite, Dr. Liri Vrenezi ishte në shërbim të popullatës dhe në veçanti pacientëve që kërkon ndihmë dhe hospitalizim në repartin e infektivës në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren.
Dr. Liri Vrenezi, në spital punoi deri në pensionim në vitin 2006. Ai ishte njeri i afërt, i dashur, kolegial, i përkushtuar në punë dhe pa përtesë e me ndershmëri e përgjegjësi kreu detyrat dhe obligimet e punës, duke qenë në shërbim të pacientëve, sepse ai me kohë e kishte kuptuar se të jesh në shërbim të popullit tënd dhe gjithë atyre që kanë nevojē për ndihmë dhe shërbime shëndetësore është detyrë profesionale dhe humane.
Menaxhmenti, reparti i infektivës dhe gjithë punonjësit e spitalit shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe miqtë e Dr. Liri Vrenezit.
Kujtimi për punën, kontributin dhe shembëlltyrën e Dr. Liri Vrenezit do të jetë i përhershëm!”, thuhet në fund të këtij njoftimi mortor nga spitali i Prizrenit.