“Kam me iu pre me thikë”, i riu kërcënon familjen, intervenon Policia

Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Shpesh herë këto vijnë si pasojë e përdorimit të alkoolit e substancave narkotike, të cilat bëjnë që persona të caktuar të kenë sjellje të dhunshme dhe të bëjnë veprime të pakontrolluara. Një rast i tillë ka ndodhur sot në lagjen Arbëria në Gjilan.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një burrë, i cili ka deklaruar se i biri e ka kërcënuar se do ta vrasë atë dhe familjarët e tjerë. Konflikti mes tyre eskaloi keq dhe viktima u detyrua ta njoftojë Policinë kur i biri iu drejtua me fjalët se “kur të fleni, kom me ju pre me thikë’’.

Burimet nga Prokuroria thonë se sipas viktimës i biri është përdorues i narkotikëve dhe nuk ndjehen të sigurt të jetojnë me të, për shkak të sjelljeve të tij të pakontrollueshme.

Me të marrë informatën, njësitet policore janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë arrestuar të dyshuarin dhe e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin kundër tij. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i riu është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Shpërndan fletushka si të sulmohet Policia, arrestohen 2 serbë – po intervistohen në Stacion