Ndahet nga jeta ikona e filmit dhe teatrit shqiptar, Enver Petrovci

Sot është ndarë nga jeta një nga figurat më të shquara të artit skenik dhe kinematografisë shqiptare, Enver Petrovci. Aktori dhe regjisori i njohur ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike që do të kujtohet përherë në historinë e kulturës shqiptare.

Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Fillimisht ndoqi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, në degën e aktrimit, ndërsa më pas përfundoi studimet universitare në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Karriera e tij artistike u shënua me suksese të mëdha, veçanërisht në teatrin “Atelje 212” në Beograd, ku rolet e tij u mirëpritën në mbarë ish-Jugosllavinë dhe e bënë atë një nga aktorët më të njohur të kohës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Petrovci vazhdoi aktivitetin e tij artistik me përkushtim të madh në Prishtinë dhe në qendra të tjera shqiptare, duke sjellë para publikut interpretime të paharrueshme në teatër dhe film.

Përveç si aktor, ai u dallua edhe si një nga themeluesit e Degës së Artit Dramatik në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989. Duke u kthyer nga Beogradi, Petrovci mori rolin e ligjëruesit të aktrimit, duke kontribuar drejtpërdrejt në formimin e brezave të rinj të aktorëve në Kosovë.

Ikja e tij është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare. Kujtimi për Enver Petrovcin do të jetojë gjatë në zemrat e publikut dhe në historinë e skenës shqiptare

Lexo edhe:  Gjendet e mitura kosovare që u raportua e zhdukur sot