Nagavci për mësuesit: Nëse grevojnë, pagat le t’ua paguajë SBASHK-u

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka folur edhe për çështjen e pagave që së fundi ishte bërë debat lidhur me atë se kush duhet t’i paguajë.

Edhe për këtë javën e kaluar zyrtarët e qeverisë, përfshirë edhe ministrin Murati, kishte thënë se çështja e pagesë së grevistëve është e rregulluar me ligj dhe se pagat duhet të paguhen nga sindikatat.

“Shpresoj shumë që ata do t’i paguajë SBASHK-u sepse për atë arsye mblidhet anëtarësia, se çfarë kuptimi ka që SBASHK-u të merr nga 800 mijë euro, unë besoj që ata e kanë kalkuluar këtë dhe kanë llogaritur që mësimdhënësit që i kanë në greva do t’i kompensojnë me buxhetin e tyre. Po flasim për respektim të legjislacionit dhe specifikisht ligjit për greva i cili thotë se me rastin e organizimit të grevave pushojnë të gjitha obligimet të cilat dalin nga kontrata e punës dhe përmendet decitivisht përfshirë të drejtën për pagesë dhe po është një nen aty me poshtë të cilit po i referohen shumë shpesh thotë se askush nuk ka të drejtë ndëshkoj financiarisht”, tha ajo.

Nagavci tha se me ligj vlera e koeficientit, nuk është caktuar, por sipas kalkulimeve ai do të jetë 120 euro.

“Vlera e koeficienti është 120 euro, por vlera e tij do të llogaritet për çdo vit. Askush nuk do të marrë më asnjë meritë për rritjen e pagave e që ato janë paga të shtetit”, tha ajo.

Ndërsa, potencoi se gjatë javës së ardhshme projektligji për paga do të shkojë në dëgjim publik.

“Projektligji i ri për paga është në finalizim paraprak, gjatë javës së ardhshme besoj se do të jetë në dëgjim publik, koeficienti i ri për paga do të jetë edhe më i mirë”, tha ajo.

Lexo edhe:  Hidhet në diskutim Kodi i Familjes në Shqipëri, kush tradhton parashihet të dënohet me burgim

Sipas saj grupi punues i ka marrë për bazë të gjitha rekomandimet e saj duke eliminuar të gjitha kategoritë që ishin lënë anash në projektligjin që ishte miratuar nga qeveria e kaluar.