Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj rojës së pyllit në Mitrovicë

Në mungesë të të akuzuarit Abit Imeri, të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë për herë të dytë ka dështuar të nis shqyrtimi fillestar në rastin ku i njëjti po akuzohet për korrupsion.

Imeri, po akuzohet se në vitin 2022, në cilësinë e personit zyrtar – pylltarit në Mitrovicë, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke shkaktuar dëm pyjor të paarsyetuar në vlerë prej 5 mijë e 376 euro e 42 centë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Imeri, gjykatësi i rastit Mentor Hajraj tha se nuk e ka arsyetuar.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Imeri, avokati Rexhep Kaçaniku tha se ka kontaktuar përmes telefonit me të akuzuarin Imeri dhe se sipas tij, i njejti e ka njoftuar se është i shtrirë në spital.

Kurse, gjykatësi Mentor Hajraj kërkoi që të sjellet ndonjë dokument mjekësor nga i akuzuari Imeri, do të urdherohet Policia e Kosovës që të njejtin ta shoqërojnë në seancën e ardhshme gjyqësore.

Ndryshe të pranishëm në këtë seancë ishin prokurori Sahit Tmava, dhe mbrojtësi i të akuzuarit Imeri, avokati Rexhep Kaçaniku.

Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë, kurse ajo e radhës për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 shkurt 2024, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Abit Imeri po akuzohet se gjatë vitit 2022 në cilësinë e personit zyrtar, në Drejtori për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Pyjeve – Sektori i Pylltarisë, Komuna e Mitrovicës, në terrenin “Maja e zezë”, në cilësinë e rojës së pyllit, ka keqpërdorë detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat e tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër, ashtu që nuk ka arritur t’i arsyetojë prerjet ilegale dhe dëmet pyjore.

Lexo edhe:  Dreka kthehet në përplasje: Babai në Prishtinë tenton ta sulmojë me pjatë djalin, e akuzon se nuk po punon

Sipas aktakuzës, prerja e drunjve në mënyrë ilegale kishte arritur sasinë prej 35.14 m3, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës dëm material në vlerë prej 5 mijë e 376 euro e 42 centë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Kajtazi ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.