Mungoi në gjyq për shkaqe shëndetësore paradite, avokati i Faruk Mujkës “kapet” në piceri pasdite

Në ditën kur dështoi gjykimi për korrupsion ndaj kryeshefit të ‘Ibër-Lepencit’, Faruk Mujka dhe ish-drejtorit komunal në Mitrovicë, Hysen Muzliukaj, avokati i njërit prej të akuzuarve u shfaq në restorant anipse e arsyetoi mungesën për shkaqe shëndetësore.

Xhafer Tahiri, avokat i Faruk Mujkës, u ‘kap në flagrancë’ duke ngrënë picë në një restorant të qytetit të Vushtrrisë të mërkurën.

Paradite, avokati supozohej të ndodhej në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku do të niste gjykimipër korrupsion i klientit të tij të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mosraportimit të pasurisë.

Aty nuk shkoi me arsyetimin se ishte i sëmurë.

Sipas kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, avokati Tahiri e njoftoi gjykatën se për arsye personale/shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në seancë të mërkurën. Për këtë, sipas gjyqtares, ai bashkëngjiti edhe dokumentacionin mjekësor.

Por, pasditën e të njëjtës ditë – të mërkurën e 9 tetorit – Tahiri, që është kandidat për kryetar të Vushtrrisë, u intervistua duke ngrënë picë në një restorant në Vushtrri.

Ai, në një paraqitje mediale në Nacionale, bashkëbisedoi me një gazetar të cilin sapo e takoi brenda një restoranti, e njoftoi se ka porositur ‘picë t’shpisë’

“Porosita unë, t’shpisë”, tha avokati.

Dështimi i fillimit të gjykimit për korrupsion ndaj klientit të tij Faruk Mujka, një eksponent i Vetëvendosjes në Mitrovicë, dështoi edhe për shkak të mungesës së vet kryeshefit të ‘Ibër-Lepencit’.

Mujka, pa arsye mungoi në seancën e ftuar nga gjykata për të mërkurën.

Sipas aktakuzës, Mujka dhe Muzliukaj akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Të dy, në periudhën për të cilën akuzohen ishin zyrtarë komunalë në Mitrovicë. Mujka nënkryetar e Muzliukaj drejtor.

Lexo edhe:  India u bën thirrje qytetarëve që për Shën Valentin të përqafojnë lopët

Mujka akuzohet akuzohet po ashtu për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.