“M’thanë hajde se krisi…”/ Shpallet aktgjykimi për vrasjen e 25-vjeçarit në Viti, rrëfimi i dhimbshëm i babait

Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Vitisë korrikun e vitit të kaluar, ku u vra me armë zjarri mërgimtari 25-vjeçar Arbnor Rama dhe mbetën të plagosur dy persona të tjerë. Pas më shumë se një viti nga ky rast, prindërit vazhdojnë të jetojnë me kujtimet e Arbnorit, teksa sot bëhen gati të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Besnik Rexhepi, në Gjykatën Themelore në Gjilan. Babai i Arbnorit, Isa Rama, në një rrëfim për Sinjalin ka folur për momentet kritike kur iu vra i biri, për ditët e netët që po kalon me mallin për të, duke besuar se i akuzuari për vrasjen e tij do të dënohet siç e meriton.

Sot, nga ora 13:30, Gjykata Themelore në Gjilan, pritet të shpall aktgjykimin ndaj Besnik Rexhepit, i cili po akuzohet për “Vrasje të rëndë” dhe “Përdorimi i armës”. Më 13 korrik të vitit 2021, pas një kacafytje me viktimën, ai po akuzohet se e ka qëllua atë, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarjes tragjikë dyshohet se i parapriu disa mosmarrëveshje që babai i Arbnorit i quan të vogla e që lidheshin me punët e tyre në Zvicër.

Isa Rama thotë për Sinjalin se i dyshuari ka qenë përgjegjës i Arbnorit në vendin ku ka punuar dhe pas disa zënkash që kanë pasur mes vete, janë takuar edhe në Viti, ku edhe e ka vrarë. Ai u shpreh se Arbnorin ia vranë disa ditë pasi erdhi për pushime në Kosovë dhe ditën kritike e përshkruan si shokuese.

I rënduar emocionalisht, ai tha se atë ditë nuk ndodhi siç bënin zakonisht, ta pinin kafen e mëngjesit bashkë. Rama thotë se bisedoi me të birin në telefon një orë para se t’i tregonin shkurt se “hajde se krisi”.

Lexo edhe:  Vëllai i Gjyljeta Ukellës: Rasti është shumë i rëndë, uroj që organet e drejtësisë të zbardhin ngjarjen

“Nuk ki imagjinatë me kuptu, për çka ka ndodhë. Me ndodhë vrasja për dy shpulla, çka janë kacafyt pak mes veti edhe ai iu ka lshu përmas me revolen me veti me 20 fishekë. Katër plumba djalit tem edhe pesë ni tjetrit. Ai e ka kry veprimin e gjakftohtësi. E kanë pasë një mosmarrëveshje ma herët në Zvicër, ai si përgjegjës i punës, jo e ke bo punën mirë, jo se ke bo mirë. Ky si shef, edhe si na kosovarët hajt se me i rreh punëtorët s’bohet nomi. Amo jo me ardhë deri te vrasja. Unë veç aët djalë e kom pasë. Arbnori ka ardhë 5 ditë para se me vra, e gruja i ka ardhë një natë para rastit. U çu n’mëngjes, e kom telefonu, e kom paë vec qat dritë t’synit, kafen bashkë e kena pi gjithë. Tha më thirri një shok vec pak, sa e kom pi kafen, as 1 orë nuk u shku, m’thanë hajde se krisi… Qysh tek masanena s’di send ma.“

Rama e ka përshkruar Arbnorit si djalë të urtë e të sjellshëm, me kujtimet e të cilit thotë se po jeton çdo ditë. Me fjalët më prekëse ai ka treguar se si i shkon koha në dhomën e të birit, duke i shikuar fotot që kishin bërë bashkë.

“Ai nuk ka pasë probleme, me tona t’mirat u kanë. Nuk ka dalë jashtë kontrollit e jashtë binarëve të familjes. Hasret e kemi pasë, student i Mjekësisë ka qenë. Momentet e para kanë qenë shokuese. Komplet jetën e tij e kom tvendos nkry. E kom përjetu shumë rondë. E ka dhomën aty, krejt senet i ka. Shpesh hi e kqyri në foto, incizime… me kujtimet e tij po jetoj, çka me bo tjetër send. Asnjo lehtë nuk e kena..”

Lexo edhe:  Flet vëllai i Liridonës: Do ta zhvarrosim trupin – i kemi dhënë dy ditë kohë familjes Murseli

Në fund ai tha se si në çdo seancë tjetër, edhe sot do të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit. Isa Rama pret që Gjykata ta dënojë me 40 vjet burgim të akuzuarin.

“Në Gjykatë ai thotë qe e kanë rreh, dëshmitarët thonë që ka pas kacafytje. Ai duhet me thonë diçka me mbrojtë veten. Me majtë revolen me veti me 20 fishekë, i ka rreziku krejt. Unë besoj që nashta 40 vjet ja jepin, e tash sa i jep gjykata nuk di. E kom besimin e fuqishëm n’gjykata, po herë here po m’venitet. Po kur po dëgjoj do raste… s’di.”, përfundoi Rama.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.