Moti, në fundjavë mundësi për reshje shiu e bubullima

Mbetet nxehtë edhe në fundjavë, të dielën mundësi për rrebeshe e bubullima. Javën e ardhshme mot jo stabil me shi e bubullima, lokalisht edhe stuhi shiu.

5.08.2022 – Mot më i nxehtë po parashihet për ditën e shtunë, e kryesisht me diell. Ditën e diel orëve të pasdites paraqiten kushte edhe për zhvillime të rrebesheve me bubullima.

Mot më të paqëndrueshëm me periudha shiu dhe bubullima, pritet ditëve të para të javës së ardhshme. Ditën e martë reshjet edhe mund të marrin veçori të stuhive me shi, erë e breshër.

Indeksi i cilësisë së ajrit në kushte të motit me diell dhe të nxehtë, do të kaloj në vlera mesatare dhe të dobëta ditën e shtunë, me rritjen e koncentrimit të ozonit sipërfaqësor. Mirëpo nga java e ardhshme, kur parashihet mot me më shumë vranësira koncentrimet e ozonit zbresin në vlera të pranueshme.

Rrezikut nga rrezet ultravjollce mbetet me indeks të lartë dhe shumë të lartë, ndaj orëve të mesditës rekomandohet t’i ikim ekspozimit më të gjatë ndaj rrezeve të diellit.

6.08 – Kryesisht me diell, më nxehtë. Pasdite me zhvillime të pakta të vransirave lokale.
7.08 – Mbetet nxehtë. Pjesërisht vranët, me mundësi për zhvillime të rrebesheve me bubullima orëve të pasdites.
8.08 – Kryesisht me vranësira. Pasdite vende-vende mundësi për rrebeshe shiu me bubullima.
9.08 – Kryesisht me vranësira, e që nga mesdita priten mundësi për zhvillime të stuhive me shi e erë.
10.08 – Vranësira dhe intervale me diell. Pasdite mundësi për rrebeshe me bubullima.

Temperaturat në rënie, minimalet luhaten ndërmjet 15C e 18C, e maksimalet nga 33C ditën e shtunë, zbresin edhe deri në 27C ditën e mërkurë.

Lexo edhe:  Zjarr në një depo në Fushë Kosovë, policia jep detaje

Erërat frynë kryesisht nga veriu e verilindja, të lehta dhe mesatare 4-10m/s, të dielen edhe mesatarisht të fuqishme me hove deri në 15m/s.

Shtypja atmosferike pëson rënie përreth vlerave normale, e më pas gradualisht në rritje.