Mot përvëlues: Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim
Të Mërkurën në Kosovë pritet të kemi një ditë shumë të nxehtë verore. Temperaturat pritet të shënojnë rritje të mëtutjeshme, ndërsa pasdite vonë në disa vise malore mund të ketë zhvillime vertikale të vranësirave dhe rrallëkund ndonjë rrebesh i izoluar shiu.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 35 apo 36 gradë Celsius. Në zonat urbane edhe më nxehtë për shkak të betonizimit dhe mungesës së gjelbërimit, prandaj rekomandohet kujdes i shtuar sidomos për personat e ndjeshëm.
Shumë nxehtë dhe me diell të Mërkurën edhe në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi. Rekomandohet kujdes i shtuar orëve të mesdites për shkak të niveleve të larta të rrezeve UV.
Dita e Enjte do të jetë edhe më e nxehtë, me temperatura në Kosovë deri në 38 gradë Celsius. Shumë nxehtë do të jetë edhe në viset tjera. Pasdite vonë priten zhvillime të rrebesheve të izoluara të shiut me vetëtima dhe bubullimë, kryesisht në viset kodrinore-malore.
Destabilizim më i fuqishëm i motit pritet të Premten pasdite me zhvillime të fuqishme konvektive dhe vende-vende me stuhi me bubullima. Gjatë dhe pas këtyre zhvillime temperaturat do të pësojnë ulje dhe pritet freskim sadopak i motit./MeteoBallkan