I dehur kërcënoi babain me thikë, 28-vjeçari përfundon sërish në Polici

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Gjakovë, ku një person, derisa ishte nën ndikimin e alkoolit dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti me të birin, 28-vjeçari ka ushtruar dhunë psikike e më pas e ka kërcënuar me thikë, duke i shkaktuar frikë e shqetësim të madh.

Burimet thonë se çka e bën edhe më shqetësues këtë rast është se i dyshuari është përsëritës i rasteve të dhunës në familje, që janë denoncuar edhe më parë në polici.

Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Dhunë në familje’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  Arrestohet mjeku Betim Morina i dyshuar për kanosje, po ruhet në QKUK nga Policia