Mot i ndryshueshëm gjatë ditës, ky është parashikimi gjatë vikendit

Sot pritet të kemi mot shumë të ndryshueshëm. Në mëngjes dhe paradite ende shumë nxehtë, me diell dhe vranësira lokale.

Pasdite destabilizim i fuqishëm i atmosferës. Parashihen zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive që do të kushtëzojnë rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe breshër. Pak më vonë vjen edhe sistemi frontal nga deti me shtrëngata lokalisht intensive me shi dhe rrebeshe intensive dhe breshër. Temperaturat maksimale deri në 32 gradë Celsius paradite, ndërsa pasdite dhe në mbrëmje shënojnë ulje të ndjeshme.

Në Shqipëri poashtu priten mot i stuhishëm me sistemin frontal që vjen nga deti me rrebeshe intensive shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Ka gjasa që të ketë edhe tromba (tornado ujore). Fillimisht në bregdet, pastaj edhe në vise tjera pritet kalimi i sistemit frontal me shtrëngata shiu me vetëtima dhe bubullimë. Temperaturat shënojnë ulje.

Mot me stuhi dhe shtrëngata shiu nesër pritet edhe në Mal të Zi, ndërsa në Maqedoninë Veriore sistemi frontal vjen orëve të pasdites ose mbrëmjes nga perëndimi i vendit duke u shtrirë në drejtim të lindjes. Në tërë rajonin vende-vende parashihen rrebeshe mjaft intensive dhe breshër, duke mos përjashtuar mundësinë edhe për ndonjë tornado të vogël. Në mbrëmje vonë ose gjatë natës reshjet pushojnë me kalimin e sistemit frontal dhe pastaj parashihen intervale kthjellimesh dhe vranësira me rrebeshe lokale shiu me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

Të dielën më freskët, me intervale kohore me diell dhe vranësira të herëpashershme e rrebeshe lokale shiu me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

Fillimi i javës së re sjellë reshje të reja lokale me bubullima, ndërsa temperaturat shënojnë ulje të mëtutjeshme.

Lexo edhe:  Pas ndarjes nga Xhensila, Bes Kallaku në një lidhje të re dashurie me ish-konkurrenten e “Përputhen”?

Nga e marta përmirësim gradual i motit dhe rritje graduale e temperaturave./METEOBALLKAN