“Mos u ngutni se në ferr ka vend për të gjithë”, reagon avokati i familjes së Agonis Tetaj

Avokati mbrojtës i familjes së Agonis Tetajt, Berat Tmava ka reaguar pas vendimin e Gykatës së Pejës, që e dënon me 7 vjet e gjashtë muaj Shaban Gogaj.

Tmava përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se nuk ka mbetur i befasuar me vendimin e sotëm.

Tutje ai tha se ishin të bindur që gjykimi ndaj Shaban Gogajt do të vazhdojë vetëm atëherë kur pala e akuzuar është bindur se do të shpallet fajtor vetëm për vrasje nga pakujdesia.

“Sigurisht në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar familjes Tetaj, të cileve ju vra më i dashuri i tyre Agonisi, nuk kam mbetur i befasuar me këtë vendim. Kjo për faktin se vetë odisejada e shtyerjes së seancave për arsye banale na ka bindur se gjykimi do të vazhdoj vetëm atëherë kur pala e akuzuar është bindur se do të shpallet fajtor vetëm për vrasje nga pakujdesia”, thuhet në reagimin e tij.

Tmava shtoi se Gjykata me këtë vendim ka krijuar pasiguri juridike tek qytetarët e Kosovës.

“Kjo çka ka ndodhur sot na kujton kohën e gladiatorëve, kur gladiatorët vdisnin në arenë nga kthetrat e luanëve ndërsa të pasurit të cilët qëndronin më lozhë duartrokitnin”, thotë avokati.

Tmava në fund pati edhe disa fjalë për trupin gjykues, duke thënë se një ditë do t’i ndjekë keqëardhja për këtë vendim, ditë kjo që siç ka thënë ai, nuk do të jetë e largët.

“Dy fjalë për Trupin Gjykues, me vendime të tilla nuk mund ta mbuloni anshmërinë e juaj nuk e di se si do të silleshit ju po që se i ndjeri do të ishte anëtar i familjes suaj. Një ditë do të ju ndjekë keqardhja për këtë vendim dhe ajo ditë nuk do të jetë e largët, si dhe do të bindeni se ai vendim nuk ishte vendim i drejtë por vendim i ndikuar.Dostojevski jo më kot ka thënë: Mos u ngutni se në ferr ka vend për të gjithë”, ka theksuar ai.

Lexo edhe:  Xhaxhai sulmon nipin në Prishtinë, dërgohet në mbajtje për 48 orë