Mojsilloviq tregon se janë caktuar detyrat operative për ushtrinë serbe në lidhje me Kosovën
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare serbe është diskutuar për situatën në Kosovë dhe në rajon, si dhe janë marrë udhëzime dhe konkluzione për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë Serbia dhe organet përkatëse.
“Jemi dëshmitarë të “keqtrajtimit të popullatës serbe jo vetëm në veri, por në të gjithë Kosovën”. Zbatimi i veprimeve të njëanshme dhe pa precedent, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e pakicave, në këtë rast të serbëve në Kosovë, në kuptimin politik ka ardhur në shprehje nga ana e “institucioneve të përkohshme në Prishtinë”, dhe kjo çështje ka merituar jo vetëm vëmendjen e anëtarëve të Këshillit për Siguri Kombëtare, por edhe më gjerë, për sa i përket përcaktimit të konkluzioneve, direktivave dhe udhëzimeve për punën tonë të mëtejshme”, ka deklaruar Mojsilloviq, transmeton Paparaci.
Ai ka shtuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka njoftuar me një non-paper të përgatitur nga Franca dhe Gjermania.
“Presidenti i Serbisë na ka informuar për një dokument të përgatitur nga Franca dhe Gjermania. Bëhet fjalë për një non-paper që lidhet drejtpërdrejt me Bosnjë e Hercegovinën dhe e vështirëson më tej pozitën e Republikës Serbe, zbulon Mojsilloviq.
Ai ka shtuar se me përmbajtjen e dokumentit janë njoftuar edhe anëtarët e zgjeruar të Këshillit për Siguri Kombëtare serbe dhe se janë përcaktuar udhëzimet për qëndrimin që do të mbajë Serbia ndaj kësaj çështjeje.
Në fund, ai ka treguar se janë përcaktuar saktësisht detyrat për Ushtrinë e Serbisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Në përputhje me këtë, përmes konkluzioneve dhe direktivave të sotme, institucioneve dhe organeve përkatëse u janë përcaktuar qëndrimet operative ndaj sfidave që na presin”, ka thënë Mojsilloviq.