Mjeku Vojvoda përfundon në qeli për 48 orë pasi dyshohet se e sulmoi seksualisht pacienten në Vushtrri
U raportua sot për arrestimin e një mjeku në Qendrën e Mjekësisë Familjare 1 në Vushtrri, i cili ka përfunduar në ndalim policor për veprën penale “Sulm seksual”. Viktima që e denoncoi rastin është një paciente, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë, të dielën në mbrëmje.
Policia Rajonale në Mitrovicë sot njoftoi se është arrestuar një person nën dyshimin për sulm seksual, i cili ka përfunduar në ndalim policor, por pa dhënë detaje të tjera.
Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se bëhet fjalë për Avdullah Vojvodën, 63-vjeçar, mjek i QMF-së 1 në Vushtrri.
Ndaj mjekut specialist, Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar urdhër për masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal.
Bazuar në informacionet e para, pacientja e ka denoncuar mjekun për sulm seksual, rast ky që dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e 4 gushtit.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se sipas viktimës, teksa mjeku ka qenë duke e kontrolluar, ia ka larguar bluzën që e kishte pasur të veshur për ta vazhduar më tutje kontrollin dhe aty dyshohet se i ndodhi e papritura.
Pacientja 28-vjeçare po pretendon se mjeku ka filluar me prekje në gjoks, derisa ajo detyrua që ta ndalë dhe të largohej.
Denoncimi i saj i ka vënë në lëvizje Policinë dhe Prokurorinë, me ç’rast gjatë ditës së djeshme janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Pasi është siguruar prezenca e mjekut të dyshuar, i njëjti është intervistuar dhe ka dhënë versionin e tij të rastit.