Mjeku kosovar publikon fotografitë e lëndimeve nga mjetet pirotenike në natën e Vitit të Ri
Feriz Bytyqi, mjek në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Hafir Shala”, në Drenas ka publikuar disa nga rentgenët e rasteve të lëndimit nga mjetet pirotenike mbrëmë gjatë ndërrimit të motmoteve.
“Inçizime rentgenografike vetëm disa më serioze, prej shumë lëndimeve si pasojë e mjeteve piroteknike. Vetëm në Drenas i patem disa lëndime mbrëmë, njëri nga të cilët një fëmijë u detyruam ta dërgojmë në Emergjencën e Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.
Përveç mjeteve pirotenike, qytetarët kanë publikuar edhe fotografi të gëzhojave të plumbave të cilët kanë dëmtuar dritare e vetura.
Gëzhoja të plumbave janë parë edhe në rrugën “Shefki Kuleta” në qytetin e Fushë-Kosovës.
Policia e Kosovës për disa ditë me radhë ka bërë thirrje që për natën e ndërrimit të motmoteve të mos përdoren armë.
Nga festimet e natës së mbrëmshme sipas Policisë së Kosovës nuk ka pasur asnjë rast tragjik, përveç disa incidente me lëndime trupore dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit pakujdesshëm i mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit.