Mitrovicasi ushtron dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e bën për spital

Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë.

Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një familje në rrugën ‘Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ku një burrë dyshohet se ka rrahur bashkëshorten e tij.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja e ka denoncuar bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.

Viktima ka marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të njëjtit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.

Lexo edhe:  Polici i arrestuar u kap me zyrtarët e KEDS-it që i shkuan për t’ia ndërruar njehsorin, ekspozoi armën