Mitrovicasi ia kris armës rreth 30 herë, kërcënon policin që intervenoi: Ki me pasë punë ti me mu
Si çdo fundvit, edhe në ditët e fundit të 2023-shit, kosovarët kanë kremtuar festën e Vitit të Ri, duke përdorur mjete piroteknike, por edhe armë të zjarrit. Një dukuri e tillë, përveç e kundërligjshme është e mjaft e rrezikshme, pasi jo rrallëherë e kanë pësuar qytetarët.
Siç mëson Sinjali, një rast i tillë ka ndodhur të dielën në Mitrovicë, ku në rrugën “Demë Ahmeti”, dikush po dyshohet se ia krisi armës së zjarrit te shtëpia e tij, duke gjuajtur rreth 30 herë.
Të shtënat që u dëgjuan, trazuar banorët përreth, me ç’rast rasti u denoncua në Polici dhe në vendin e ngjarjes intervenuan zyrtarët policorë.
Si rezultat, i dyshuari është arrestuar, ndërsa gëzhojat dhe arma e përdorur nga i njëjti është sekuestruar si provë materiale lidhur me rastin.
I dyshuari që u fut në telashe, në shenjë revolte është kapur me një zyrtar policor, të cilin e ka kërcënuar, duke e paralajmëruar se “ki me pasë punë me mu” – thonë të njëjtat burime.
Për pasojë, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë.
Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë iniciuar rastet për veprat “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje ndaj personit zyrtar”.