Mitrovica e Veriut merr vendim t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka votuar pro bashkimit të kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Asamblistja e Vetëvendosjes, Aida Doli, tha se kjo votë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale.

“Sot, në Kuvendin Komunal, në Veriun e Mitrovicës, u votua pro bashkimit të Komunës Veriore të Mitrovicës në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kjo votë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i komunave janë thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar dhe më të qëndrueshme për të gjithë”, ka thënë ajo.

Teve1.info ka kontaktuar edhe me drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi

Ai bëri të ditur se fillimisht vendimi i Kuvendit Komunal do të dërgohet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për vlerësim të ligjshmërisë dhe pastaj sipas tij, pritet të dërgohet tek Asociacioni i Komunave të Kosovës për shqyrtim

Lexo edhe:  Nxori jashtë fëmijët dhe qëlloi me thikë gruan e tij, ky është autori i plagosjes në Korçë