Ministrja Gërvalla kërkon të ndahen 200 mijë euro për t’i dalë në ndihmë Bosnjës pas përmbytjeve
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, propozoi në mbledhjen e sotme të ekzekutivit që të ndahen 200 mijë euro për Bosnjë e Hercegovinën, e cila së fundmi u përball me pasoja fatale të vërshimeve.
Donika Gërvalla tha se do të mund ta përgatiste një kërkesë zyrtare për këtë.
“Në fakt desha t’ju drejtohem me një çështje pak jashtë edhe kornizave të kësaj mbledhjeje me vendime e propozime për të marrë mendimin tuaj për një kërkesë që do ta kemi si Ministri e Punëve të Jashtme për solidarizim me Bosnjën në një situatë e cila.. Vërshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha, prandaj do të kërkoja solidaritetin tuaj, solidarizimin tonë të përbashkët me një shumë prej 200 mijë eurosh. Nëse nuk ka ndonjë kundërshtim këtu, atëherë kryeministër, do t’ju dërgojmë kërkesën zyrtare si MPJ që të mund ta ndërmarrim një hap të tillë”, tha ajo.
Kryeministri Albin Kurti, tha se kjo duhet të shqyrtohet në një mbledhje tjetër.
“Faleminderit zëvendëskryeministre Gërvalla. Ne për këtë na duhet ta mbajmë një mbledhje tjetër online, që të përgatiet vendimi, materiali, e më pas ta miratojmë atë”, tha Kurti.